Monday, May 19, 2014

Hija e moralit tend te ndjek gjithmone pas - Roland Beqiraj ( Nga Meditimet)

Ashtu si kujtimet edhe hija e moralit të ndjek pas gjithë jetën, më pat thënë në dëshpërim e sipër një mik i vjetër, i cili vdiq pak kohë më parë nga sëmundja e kancerit. Dhe pikërisht në momentin më të keq për të, kur dhe daljet në publik i kishte rralluar, ishte shfaqur një person i cili për tragjedinë e familjes së tij, të ndodhur në diktaturë, fajësonte mikun tim, që në atë kohë mbante një post të nivelit të mesëm në Ministrinë e Brendshme.
          Dhe unë arrija të shihja në sytë e mikut tim një ndjenjë të thellë pendimi të cilën në atë moment ia besoja. Të paktën, thosha me vete, nuk hyn në kategorinë e atyre personave që ngushëllohen me faktin se “ nuk kemi bërë asgjë më shumë veç se kemi zbatuar ligjin e kohës”. Përkundrazi miku im e quante fatkeqësi dhe dështim njëkohësisht që kishin zgjedhur atë profesion në diktaturë”.
          Një rast i tillë është i veçantë në mija raste të këtij lloji në 50 vjetët e diktaturës. Do të më pëlqente që raste të këtij lloji të kishte shumë, tani kur kanë kaluar 20 vjet nga ndryshimi i regjimit. Këta njerëz të shtyheshin nga hija e tyre dhe të shfaqnin pendesë. Dhe që kjo pendesë të bëhej reale, të jepnin ndihmesa konkrete për të zbardhur disa të vërteta që janë mbuluar me mister.
           Por duket se hija e Harallamb Banos, prokurorit të Vlorës, është e pafuqishme ta detyrojë “ bashkudhëtarin “ e tij, në mos të pendohet, të paktën ti tregojë familjes Bilali, se ku i kanë eshtrat e të afërmit të tyre të pushkatuar në vitin 1984.*
           Kur kanë kaluar 20 vjet nga viti 1990,nuk është shënuar në kronikat e zeza asnjë hakmarrje që viktimat kanë kryer ndaj persekutorëve të tyre. Që në vitet e para iu tha “JO!” hakmarrjes në emër të idealit më të madh, ku përfshihej e gjithë shoqëria shqiptare; ndërtimi i një shoqërie demokratike. Por si çdo gjë, kjo pati një impakt krejt të ndryshëm tek persekutorët. Ata që kishin torturuar dhe dënuar të pafajshëm, e ndjenë veten po aq të siguritë sa edhe atëherë kur kishin në dorë shumë leva të pushtetit absolut. Pjesa më e moshuar e tyre, nuk i hoqën kasketat dhe shfaqeshin në rrugë si kokoroçë, duke u bërë karshillëk viktimave, të cilët nuk i kanë mbyllur plagët sociale edhe pas 20 vjetësh, ndërsa më të rinjtë duke përfituar nga njohjet apo duke bërë shantazhe, u inkuadruan në administratën e sistemit të ri.
           Dhe nga i gjithë ky pajtim, të vetmit që dolën të humbur janë sërish viktimat, pasi ata nuk janë “ të zotë “ të gjejnë punë, nuk kanë para të shkollojnë trashëgimtarët, nuk janë të preferuar nga partitë politike dhe veten e panë sërish të diferencuar. Dhe vitet ikin...
 Por le të kalojnë vitet, hija mbetet gjithmonë hije, ajo është bashkë udhëtarja jote për gjithë jetën. Dhe njerëzit e njohur e të panjohur, ata që ke njohur në vegjëli, rini dhe në moshën e vonë, të gjykojnë pikërisht pas hijes që ecën krah teje.




* Më 9 shtator 1984, Xhavit Bilali, me origjinë çame, banues në Vlorë, dënohet me pushkatim për tre thasë oriz,të cilat u konsideruan nga regjimi i atëhershëm si “ dëmtim i pasurisë socialiste”. Harallamb Bano, ishte prokurori që kreu zbatimin e ekzekutimit. 26 vjet më pas, pasi dështuan me kërkimet vullnetare të gjetjes së eshtrave, tre vëllezërit e të pushkatuarve hynë në një grevë urie tek ambientet e Avokatit të Popullit, pasi ish prokurori i diktaturës,tani punon në këtë institucion. Ai refuzon tu tregojë vendin ku është kryer pushkatimi duke i mohuar kështu viktimës së tij edhe mundësinë për të pasur një varr. 

Wednesday, May 7, 2014

Fenomenet që e gërryejnë një sistem demokratik; - korrupsioni dhe jashtëligjishmëria.

Dy janë fenomenet që e gërryejnë një sistem demokratik; - korrupsioni dhe jashtëligjishmëria.

          Jose Ramoneda në studimin e tij “ Fundi Pasionit Politik shprehet se “ pasi iu dha lamtumira politikës ideologjike, mbeti politika lakuriqe. Pikërisht këtu u shfaq korrupsioni*. E gjithë kjo është e vërtetë , pasi në sistemet totalitare  gjithë makina shtetërore  është në shërbim të një kaste të caktuar që zotëron të gjitha pushtetet. Pas përmbysjes së regjimit, grupe të caktuara interesi, kryesisht në shërbim të regjimit të kaluar, morën copën e luanit nga privatizimet e ish ndërmarrjeve shtetërore si dhe të pasurisë kombëtare, duke bërë kështu transferimin e pushtetit nga ai politik në atë ekonomik. Por i gjithë ky proces nuk mund të kryej nëse ata nuk do të “ishin ndihmuar” nga klasa e re politike, natyrisht  duke u bërë edhe ata pjesëmarrës direkt ose indirekt në këto privatizime.
          Duke analizuar përciptas këtë fenomen, të ri për ne  në atë kohë, gjithçka ka qenë e paralajmëruar. Mjafton ti hedhësh një sy orientimeve të dhëna në formë prognoze të Kartës së Katovicës, dhe do ta kesh të qartë atë çka ndodhi në vendet ish komuniste; “ njerëzit tanë ( komunistët) do të jenë në partitë e reja politike, si dhe në regjimin e ri për  të zotëruar pushtetin ekonomik”. Dhe kështu ndodhi me të vërtetë, mjafton ti hedhësh një sy metodës si dhe listës emërore të atyre që përfituan nga privatizimi, që në një vend të vogël ky nuk përbën problem, dhe do ta kuptosh gjithë atë që ka ndodhur gjatë periudhës 20 vjeçare në këtë vend.
Aferat korruptive gjatë këtij procesi janë nga më të ndryshmet, pasi njerëzit që janë pranë politikanëve janë ata që kanë përfituar direkt. Kjo ka shtuar në mënyrë galoponte edhe pabarazinë shoqërore, e cila sa vjen e thellohet më tepër.
          Një faktor tjetër është edhe jashtëligjishmëria. Dikush mund të thoshte se ashtu si në popull ka  një grup njerëzish që nuk u pëlqen ti nënshtrohen ligjit, kjo nuk mund të përjashtojë individë që janë nga bota e biznesit apo politikës. Por koncepti i jashtëligjishmërisë në shoqërinë e hapur është më tej këtij koncepti fillestar. Jose Ramoneda në të njëjtin libër shprehet se “ shumimi i shoqërive të nëndheshme e klandestine, që arrijnë të krijojnë struktura paralele, si në rrafshin kombëtar, ashtu dhe në atë mbikombëtar, i cili del jashtë caqeve të demokracisë ,është shumë i vështirë të kontrollohet nga politika “. Në Shqipëri, janë të strukturuar dhe të mirëorganizuar grupet kriminale dhe mafioze të trafikut të lëndëve narkotike dhe të kontrabandës. Gjithashtu nuk kanë munguar edhe emrat e përveçëm të politikanëve që janë të implikuar direkt në përkrahjen e këtyre grupeve. Sfidat e shtetit në këtë fazë është nëse ka fuqi apo mundësi reale për tu shpallur luftë reale këtyre grupimeve mafioze. Janë të pamjaftueshme vetëm zërat nga ana e tyre për të luftuar  korrupsionin, madje tingëllojnë të pabesueshëm, përderisa nuk ka asnjë shembull konkret të kësaj lufte, duke filluar me pastrimin e politikës nga të korruptuarit. 
Gjithsesi edhe pse është kaluar një përvojë e hidhur  me sistemin komunist, askush nuk mund të garantojë se niveli i lartë i korrupsionit dhe jashtëligjishmëria nuk mund të çojnë në një pakënaqësi të madhe shoqërore. Do të mjaftonte një organizim jo shumë i përsosur nga ndonjë grupim politik radikal,i cili edhe mund të përfitojë nga kjo situatë, që masat e pakënaqura të hidhen në rrugë. Dhe nëse masa e rrugës  del për një moment nga kontrolli, pasojat mund të  dalin tej parashikimeve të këtyre strukturave shtetërore, apo të grupimeve financiare. Në një rast të tillë nuk dihet se cili do të jetë përfituesi, por humbësit do të jenë të shumtë.

           * Jose Ramoneda – “ Fundi Pasionit Politik” fq. 66 

“Të gjithë jemi fajtorë”! - ose shoqeria qe reabilitoi krimet e komunizmit

“Të gjithë jemi fajtorë”! - ose shoqeria qe reabilitoi krimet e komunizmit

“Të gjithë jemi fajtorë”! Ky sllogan u dëgjua shpesh pas viteve 1992- ‘93, i cili u përforcua më pas  me nevojën e një “ pajtimi kombëtar’ , duke lënë të nënkuptohet se vendi ndodhej “i rrezikuar” nga një luftë civile. Dhe sa herë që në publik del ashtu kalimthi ndonjë dokument që komprometon regjimin e kaluar me krimet e kryera, sërish hidhet në qarkullim slogani se “ të gjithë jemi fajtore!
“ Të gjithë jemi fajtorë” ! që në Shqipëri janë bërë aq shumë krime, si dhe një pjesë e konsiderueshme e njerëzve u burgosën , apo u syrgjynosën në vende internimi.
“ Të gjithë jemi fajtorë” ! se regjimi diktatorial i Enver Hoxhës qëndroi aq gjatë në pushtet dhe nuk u rrezikua asnjëherë nga ndonjë revoltë popullore që ti trondiste themelet.
“ Të gjithë jemi fajtorë” ! pasi regjimi nuk vdiq njëherësh me diktatorin, por iu zgjat jeta edhe gati një dekadë. Fajtorë jemi edhe ne përderisa janë kryer krime nga regjimi edhe në fundin e tij, duke vrarë  njerëz të pafajshëm në kufi.
Por nëse vërtetë duhet të jetë kështu, duhet të ketë një fajtor mbi fajtorët. Fajtor më tepër se pamundësia jonë e popullore për t’iu kundërvënë regjimit , janë  klika në fuqi dhe gjithë armata e makinës shtetërore diktatoriale që qëndronte pas tyre ; - sigurimsat, hetuesit, prokurorët,  e shumë të tjerë si këta.
“ Të gjithë jemi fajtorë” , ky slogan që tingëllon aq qytetar dhe civilizues, e ka një prapaskenë djallëzore. Përgjegjësia kolektive është forma më e mirë për të shmangur përgjegjësinë e vërtetë, të cilat ashtu siç ndodh në të gjitha sferat e shoqërisë edhe në këtë rast , ajo është individuale. Nëse të gjithë dalim fajtorë, atëherë askush nuk është përgjegjës për të gjitha çka ndodhën gjatë 50 vjetëve të sundimit komunist. Si mund të jetë e njëjta përgjegjësi e popullit me atë të Ramiz Alisë e të tjerë!? Si mund të jetë e njëjta përgjegjësi e imja  me atë të drejtorit të sigurimit të shtetit , apo të Prokurorit të Përgjithshëm !? Si mund të jetë e njëjta përgjegjësi e babait tim të ndjerë, kujdestar në një konvikt shkolle të mesme, me gardianin xhelat, që tregohej më mizor se shefi i tij, thjesht për të mbajtur vendin e punës...”?!
Kjo është një metodë e njohur në historinë e post regjimeve totalitare. I njëjti opinion u mundua të krijohej edhe pas kapitullimit të Gjermanisë hitleriane, ku krimet e kastës së nazistëve, kërkoheshin të fshiheshin pas përgjegjësisë kolektive të popullit gjerman. Por morali i shoqërisë për të vendosur në vend drejtësinë, nuk mund të shkonte pas këtij slogani, në dukje aq qytetar dhe humanitar. Edhe pse kaluan shumë vite që nga gjyqi i Nurembergut, vendimet e tij po ekzekutoheshin sa herë që kapej ndonjë nazist i fshehur.
Krejt e kundërta ndodhi në vendin tonë. Askush nuk është dënuar për krimet shfarosëse të komunizmit, megjithëse kanë dalë në dritë shumë materiale arkivore për platformat komuniste të dënimit të atyre që ata i quanin ‘ armiq të popullit”, asnjë gjykatë nuk u ngrit për ë dënuar këto krime. Madje ajo që mundtë quhet skandaloze,krimet e komunizmit nuk janë dënuar as me një rezolutë të përbashkët e forcave politike në parlament. Gjithashtu nuk u miratua as ligji i lustracionit, për të shmangur nga detyrat në administratën e lartë shtetërore të spiunëve të ish sigurimit të shtetit, proces që ka ndodhur në të gjitha vendet e lindjes.

Me këto veprime, kufijtë e moralit në shoqërisë tonë janë cenuar rëndë duke kompromentuar  shoqërinë civile, intelektualët, politikën dhe vetë drejtësinë. Madje kjo periudhë do të shërbejë edhe si shembulli më i keq në historinë e pasardhësve, duke u lënë të nënkuptohet se ‘ me këtë popull mund të bësh çfarë  të duash, pasi nuk të dënon askush”. Në gjendje më të vajtueshme nuk besoj se mund të bjerë një shoqëri në shekullin XXI. 

Steriotipet ne Liri - Jemi tru-peshk....!

          
Kur e pamë veten të lirë, menjëherë u ndeshëm me shumë steriotipe të krijuara për ne në një botë që ne e kishim dëshiruar aq shumë. Në botën e ëndrrave ne na cilësuan pak a shumë si njerëzit e parë me ngjyrë që erdhën në Evropë. Në gjithë qenien tonë ne e ndjenim veten inferiorë para një perëndimori, qoftë ai edhe jo me ndonjë status social për tu pasur zili.
 Kjo risi aspak e këndshme ishte një shok për të gjithë ata që kishin ëndërruar “botën e lirë”. Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet, që kanë të bëjnë duke filluar që nga ndryshimet në kulturë,nuk është pak izolimi 50 vjeçar nga pjesa tjetër e botës; por faktori kryesor mbetet ai ekonomik. Askush nuk mund të pranojë si të barabartë një varfanjak. Mund të ndiesh mëshirë për një të varfër,por çfarë mund të ndiesh për një popull  të varfër? Përgjigjet mund të jenë të shumta, por  një popull me varfërinë e tij nuk ka përse të mburret. Një popull me këto probleme  sociale , për të mos u quajtur një popull i mangët , duhet të gjenden rrugët për të  shpëtuar nga varfëria. Rruga është sa politike aq edhe kulturore, për të hedhur tej një mentalitet të mbetur gabimisht në formën aksidentale nga segmente të ndryshëm historikë.

          * * *

Jo të gjitha steriotipet e krijuara duhet të cilësohen njësoj. Nuk di përse më është mbushur mendja se ne si popull jemi tru-peshk dhe kemi memorie prej peshku. Ndoshta ngaqë harrojmë shpejt dhe nuk kemi kujtesë kolektive. Kujtesa kolektive e shqiptarëve për krimet e kryera gjatë periudhës së errët të komunizmit është  topitur. Askujt nuk i bën përshtypje kur në sfera të ndryshme të shoqërisë ish drejtuesit e sigurimit të shtetit  apo forca të tjera të ish nomenklaturës komuniste  shfaqen nëpër ekranet e televizioneve dhe vazhdojnë të ushqejnë popullin me  versionin e tyre të historisë. Ndërsa sa u përket krimeve të kryera prej tyre, e mbyllin në mënyrë lakonike se ‘ e tillë ishte koha”.
Ne si popull vazhdojmë të qëndrojmë të heshtur, tamam si tru-peshq, vazhdojmë të dëgjojmë, madje ende përbën kuriozitet edhe jeta e tyre në ‘bllok”. Ndërkohë nuk është dëgjuar asnjë zë kolektiv për ngritjen e një tribunali për të dënuar krimet e komunizmit dhe përgjegjësit, satrapët dhe kriminelët, të gjithë ata që kanë ushtruar tortura, të dalin dhe të japin llogari.
Gjithashtu ne si popull tani jemi duke ndjekur skenarin më dinak të pastrimit të historisë që po i bëjnë mbetjet e ish komunizmit. Nëpër gazeta të ndryshme janë duke u publikuar dossierë të ndryshëm për viktimat e diktaturës. Bashkë me materialet arkivore janë publikuar edhe ish bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit, që në të shumtën e rasteve janë persona nga shtresa më e persekutuar e shoqërisë shqiptare gjatë periudhës së komunizmit. Në atë periudhë ka qenë e kuptueshme që të infiltruari të ishin nga kjo shtresë, pasi ata ishin  të besuarit e viktimave, por ajo që të bën përshtypje, është zelli i madh për publikimin e ish spiunëve dhe kursimi që iu bëjnë operativëve të sigurimit, hetuesve dhe prokurorëve të regjimit, natyrisht duke i justifikuar se “ ata kanë kryer detyrën ”. Madje ka nga ata ish sigurimsa që edhe kur me gjysmë zëri pranojnë se ka viktima të pafajshme duke rënë sipas tyre, viktima të shpifjes, fajin ia lenë kastës së dënuar nga Hoxha,duke përjashtuar kështu diktatorin nga përgjegjësia, ndërkohë që faktet historike flasin të kundërtën. Por jo vetëm kaq, një pjesë e mirë e atyre që kanë marrë pjesë në procese politike sot  janë përsëri në detyra shtetërore, duke pasur akses edhe për të pastruar veten dhe ish nomenklaturën e kuqe. 
Pikërisht për këtë qëllim, vite më pas, drejtësia e vendit tim duhet ta ndjejë veten të turpëruar, pasi edhe pse kanë kaluar shumë vite që nga koha e përmbysjes së komunizmit, në gjirin e saj ka shumë prej tyre që kanë ende njollat e gjakut të viktimave dhe martirëve, nëpër mëngët e kamishave, ndërsa sot janë po këta njerëz që ne shpresojmë se do të japin drejtësi.
Ne duhet të na vijë turp, jo aq për vete se sa për brezat e rinj, që lejuam politikën e inkriminuar të mos pastrohet nga këta kriminelë. Ne nuk e ndëshkuam as me fjalë dhe as me votë këtë pseudo politikë, përkundrazi e lejuam të na qeverisë 20 vjet, madje dhe sa vite të tjerë, ndoshta derisa të jemi larguar nga kjo botë.

Dhe thuaj pastaj që ne nuk jemi tru-peshk.  

KSENOFOBIA E SOTME - PASUESE E LUFTES SE KLASAVE

KSENOFOBIA E SOTME - PASUESE E LUFTES SE KLASAVE

Roland Beqiraj ( Nga MEDITIMET )

Lufta e klasave në Shqipëri tashmë është zëvendësuar me ksenofobi. Tani “armik” nuk është ai që nuk mendon si ty, tani armik është ai që nuk është si ty. Pasi u kristalizuan disa shtresa të ndryshme sociale dhe shoqërore, diferencimi u bë më evident, duke qenë i pranishëm në të gjitha ambiente, qofshin këto zyrtare apo shoqërore.
Persona nga shtresa të ndryshme sociale përballen çdo ditë me nënçmime nga më të ndryshmet; i pasuri e shikon me përçmim,të varfrin, i bardhi s’ denjon të hedh sytë nga i ziu, i krishteri atë që nuk beson në Krisht e cilëson “ taleban”, myslimani u shpall luftë armiqve siç i quan ai të profetit... dhe historia rikthehet në formën e saj më tragji - komike.
Dhe ndarja më ekstreme sot nuk është politike, por ajo fetare. Secili ka filluar të rikthehet në shtratin e besimit tek të parëve duke u bërë më fanatikë se paraardhësit. Dhe shembujt janë të pafund, që nëse do të përmendeshin, do të duheshin qindra mijëra faqe. Por nuk janë të rëndësishme rastet, ato mund të jenë njëqind,por edhe njëmijë. I rëndësishëm është fenomeni. Shumë të rinj, të shkolluar në vende të ndryshme, qoftë në botën islame, qoftë në perëndim, kur u kthyen në vendin e tyre nuk e gjetën veten të favorizuar për tu pozicionuar aty ku atyre u pëlqente. Por jo vetëm kaq, ata e panë veten të veçuar, pse jo edhe të nëpërkëmbur nga një pjesë e bashkatdhetarëve. Dhe u vendosën në kërkim të një identiteti të ri, pasi identiteti i tyre i parë u fundos në krizë dhe nuk u shërbente për asgjë. Dhe kështu filluan luftën imponuese. ...

 Por ama një gjë është më se e qartë; - Ata që kishin urryer komunizmin e panë veten se nuk ndryshonin aspak nga ata që kishin urryer. 

Tuesday, May 6, 2014

Rasti Kongoli – dhe hapja e dosjeve për shkrimtarët.


Rasti i shkrimtarit Fatos Kongoli, i cili i ka dalë dëshmitar një kolegu të tij gjatë një procesi politik, si dhe ndjesa që shkrimtari u kërkuar familjarëve të viktimës 20 vjet pas përmbysjes së komunizmit, ka rihapur edhe njëherë debatin për hapjen e dosjeve e shkrimtarëve, si dhe për vlerën e ndjesës publike, si një vlerë morale që ia vlen të bëhet.Mëkatet i fal vetëm Zoti, ndërsa shumë rrallë njerëzit, aq më tepër ata që e kanë pësuar keq nga mëkati i atij që kërkon falje dhe shpreh pendesë. Nëse Fatos Kongoli e ndjen peshën e rëndë të mëkatit, ai shumë mirë mund të meditojë në netët e vona dhe në një bashkëbisedim me Zotin, njëkohësisht mund ti lutet për ti falur mëkatin e bërë gjatë viteve të komunizmit.Pas asaj katrahure ku e ngatërruan veten, ( po e besojmë dhunshëm), megjithëse është vetëm pasojë e një karakteri të lëkundur dhe frike të madhe,nuk zë vend ndjesa, pasi pendesa nuk besoj se e ngushëllon familjen Dume. Me statusin që ka, Kongoli shumë mirë mund të fillonte një investigim dhe të botonte një dossier, apo një libër dokumentar, për të zbardhur krejt të vërtetën. Por kjo bëhej duke ia hequr petët lakrorit dhe të derdhej çorba e neveritshme e gatuar vite më parë në kuzhinën e Sigurimit të Shtetit,ku natyrisht ka pështyrë edhe zoti Kongoli. Po ta kishte bërë këtë , nuk ishte e nevojshme të zinte “kokën me duar, kur të mësonte aktivitetin agjenturor të “Shigjetës”.Nuk di përse F.Kongoli zgjodhi këtë rrugë për të kërkuar ndjesë, ndërkohë që ndjesa është një akt tërësisht privat dhe në këtë mënyrë mund t’ia kërkonte Hysenil Dumes ne gjallje të tij apo familjes Dume shumë vite më parë. Kurse “rrëfimi” publik i mëkateve mund të kishte një natyrë krejt tjetër, pak a shumë si të G.Grasit, për implikimin e tij me nazistët. Në mungesë edhe të kësaj rruge, Kongoli duke u nisur nga eksperienca thellësisht vetjake, le të ngelej tek detajet për të treguar metodat e egra të Sigurimit të Shtetit, për thyerjen e shkrimtarëve dhe poshtërimin e tyre deri në tejskajshmëri, për tu dalë dëshmitar miqve kolegëve. Më pas le të reflektonte me sinqeritetin e tij rreth ndjesive që i jep burgosja e padrejtë e një miku, ku një kontribut të turpshëm ka dhënë edhe ai. Tek e fundit në jetë nuk ka vetëm gjëra me të cilat mund të krenohesh.Kurse sa i përket debatit që po zhvillohet rreth impaktit të ndjesës dhe pendesës së Kongolit, unë jam i prirur të pranoj trishtueshëm atë që tha i biri i të ndjerit Hysenil Dume në një të përditshme, se “i fituari dhe kësaj radhe doli autori me publicitetin që iu bë librit të tij”. Them e trishtë, pasi me apo pa dashje, në tranzicionin e stërgjatë shqiptar, viktimat kanë mbetur gjithmonë të tilla, madje jo rrallë herë historitë e fatkeqësive të tyre janë burimi fitimi.