Dy janë fenomenet që e
gërryejnë një sistem demokratik; -
korrupsioni dhe jashtëligjishmëria.
Jose Ramoneda në studimin e tij “
Fundi Pasionit Politik shprehet se “ pasi iu dha lamtumira politikës
ideologjike, mbeti politika lakuriqe. Pikërisht këtu u shfaq korrupsioni*. E
gjithë kjo është e vërtetë , pasi në sistemet totalitare gjithë makina shtetërore është në shërbim të një kaste të caktuar që
zotëron të gjitha pushtetet. Pas përmbysjes së regjimit, grupe të caktuara
interesi, kryesisht në shërbim të regjimit të kaluar, morën copën e luanit nga
privatizimet e ish ndërmarrjeve shtetërore si dhe të pasurisë kombëtare, duke
bërë kështu transferimin e pushtetit nga ai politik në atë ekonomik. Por i
gjithë ky proces nuk mund të kryej nëse ata nuk do të “ishin ndihmuar” nga
klasa e re politike, natyrisht duke u
bërë edhe ata pjesëmarrës direkt ose indirekt në këto privatizime.
Duke analizuar përciptas këtë fenomen,
të ri për ne në atë kohë, gjithçka ka
qenë e paralajmëruar. Mjafton ti hedhësh një sy orientimeve të dhëna në formë
prognoze të Kartës së Katovicës, dhe
do ta kesh të qartë atë çka ndodhi në vendet ish komuniste; “ njerëzit tanë (
komunistët) do të jenë në partitë e reja politike, si dhe në regjimin e ri
për të zotëruar pushtetin ekonomik”. Dhe
kështu ndodhi me të vërtetë, mjafton ti hedhësh një sy metodës si dhe listës emërore
të atyre që përfituan nga privatizimi, që në një vend të vogël ky nuk përbën
problem, dhe do ta kuptosh gjithë atë që ka ndodhur gjatë periudhës 20 vjeçare
në këtë vend.
Aferat
korruptive gjatë këtij procesi janë nga më të ndryshmet, pasi njerëzit që janë
pranë politikanëve janë ata që kanë përfituar direkt. Kjo ka shtuar në mënyrë
galoponte edhe pabarazinë shoqërore, e cila sa vjen e thellohet më tepër.
Një faktor tjetër është edhe
jashtëligjishmëria. Dikush mund të thoshte se ashtu si në popull ka një grup njerëzish që nuk u pëlqen ti
nënshtrohen ligjit, kjo nuk mund të përjashtojë individë që janë nga bota e
biznesit apo politikës. Por koncepti i jashtëligjishmërisë në shoqërinë e hapur
është më tej këtij koncepti fillestar. Jose Ramoneda në të njëjtin libër
shprehet se “ shumimi i shoqërive të
nëndheshme e klandestine, që arrijnë të krijojnë struktura paralele, si në
rrafshin kombëtar, ashtu dhe në atë mbikombëtar, i cili del jashtë caqeve të
demokracisë ,është shumë i vështirë të kontrollohet nga politika “. Në
Shqipëri, janë të strukturuar dhe të mirëorganizuar grupet kriminale dhe
mafioze të trafikut të lëndëve narkotike dhe të kontrabandës. Gjithashtu nuk
kanë munguar edhe emrat e përveçëm të politikanëve që janë të implikuar direkt
në përkrahjen e këtyre grupeve. Sfidat e shtetit në këtë fazë është nëse ka
fuqi apo mundësi reale për tu shpallur luftë reale këtyre grupimeve mafioze.
Janë të pamjaftueshme vetëm zërat nga ana e tyre për të luftuar korrupsionin, madje tingëllojnë të
pabesueshëm, përderisa nuk ka asnjë shembull konkret të kësaj lufte, duke
filluar me pastrimin e politikës nga të korruptuarit.
Gjithsesi
edhe pse është kaluar një përvojë e hidhur
me sistemin komunist, askush nuk mund të garantojë se niveli i lartë i
korrupsionit dhe jashtëligjishmëria nuk mund të çojnë në një pakënaqësi të
madhe shoqërore. Do të mjaftonte një organizim jo shumë i përsosur nga ndonjë
grupim politik radikal,i cili edhe mund të përfitojë nga kjo situatë, që masat
e pakënaqura të hidhen në rrugë. Dhe nëse masa e rrugës del për një moment nga kontrolli, pasojat
mund të dalin tej parashikimeve të
këtyre strukturave shtetërore, apo të grupimeve financiare. Në një rast të
tillë nuk dihet se cili do të jetë përfituesi, por humbësit do të jenë të
shumtë.
* Jose Ramoneda – “ Fundi Pasionit
Politik” fq. 66
0 comments:
Post a Comment