Monday, May 19, 2014

Hija e moralit tend te ndjek gjithmone pas - Roland Beqiraj ( Nga Meditimet)

Ashtu si kujtimet edhe hija e moralit të ndjek pas gjithë jetën, më pat thënë në dëshpërim e sipër një mik i vjetër, i cili vdiq pak kohë më parë nga sëmundja e kancerit. Dhe pikërisht në momentin më të keq për të, kur dhe daljet në publik i kishte rralluar, ishte shfaqur një person i cili për tragjedinë e familjes së tij, të ndodhur në diktaturë, fajësonte mikun tim, që në atë kohë mbante një post të nivelit të mesëm në Ministrinë e Brendshme.
          Dhe unë arrija të shihja në sytë e mikut tim një ndjenjë të thellë pendimi të cilën në atë moment ia besoja. Të paktën, thosha me vete, nuk hyn në kategorinë e atyre personave që ngushëllohen me faktin se “ nuk kemi bërë asgjë më shumë veç se kemi zbatuar ligjin e kohës”. Përkundrazi miku im e quante fatkeqësi dhe dështim njëkohësisht që kishin zgjedhur atë profesion në diktaturë”.
          Një rast i tillë është i veçantë në mija raste të këtij lloji në 50 vjetët e diktaturës. Do të më pëlqente që raste të këtij lloji të kishte shumë, tani kur kanë kaluar 20 vjet nga ndryshimi i regjimit. Këta njerëz të shtyheshin nga hija e tyre dhe të shfaqnin pendesë. Dhe që kjo pendesë të bëhej reale, të jepnin ndihmesa konkrete për të zbardhur disa të vërteta që janë mbuluar me mister.
           Por duket se hija e Harallamb Banos, prokurorit të Vlorës, është e pafuqishme ta detyrojë “ bashkudhëtarin “ e tij, në mos të pendohet, të paktën ti tregojë familjes Bilali, se ku i kanë eshtrat e të afërmit të tyre të pushkatuar në vitin 1984.*
           Kur kanë kaluar 20 vjet nga viti 1990,nuk është shënuar në kronikat e zeza asnjë hakmarrje që viktimat kanë kryer ndaj persekutorëve të tyre. Që në vitet e para iu tha “JO!” hakmarrjes në emër të idealit më të madh, ku përfshihej e gjithë shoqëria shqiptare; ndërtimi i një shoqërie demokratike. Por si çdo gjë, kjo pati një impakt krejt të ndryshëm tek persekutorët. Ata që kishin torturuar dhe dënuar të pafajshëm, e ndjenë veten po aq të siguritë sa edhe atëherë kur kishin në dorë shumë leva të pushtetit absolut. Pjesa më e moshuar e tyre, nuk i hoqën kasketat dhe shfaqeshin në rrugë si kokoroçë, duke u bërë karshillëk viktimave, të cilët nuk i kanë mbyllur plagët sociale edhe pas 20 vjetësh, ndërsa më të rinjtë duke përfituar nga njohjet apo duke bërë shantazhe, u inkuadruan në administratën e sistemit të ri.
           Dhe nga i gjithë ky pajtim, të vetmit që dolën të humbur janë sërish viktimat, pasi ata nuk janë “ të zotë “ të gjejnë punë, nuk kanë para të shkollojnë trashëgimtarët, nuk janë të preferuar nga partitë politike dhe veten e panë sërish të diferencuar. Dhe vitet ikin...
 Por le të kalojnë vitet, hija mbetet gjithmonë hije, ajo është bashkë udhëtarja jote për gjithë jetën. Dhe njerëzit e njohur e të panjohur, ata që ke njohur në vegjëli, rini dhe në moshën e vonë, të gjykojnë pikërisht pas hijes që ecën krah teje.




* Më 9 shtator 1984, Xhavit Bilali, me origjinë çame, banues në Vlorë, dënohet me pushkatim për tre thasë oriz,të cilat u konsideruan nga regjimi i atëhershëm si “ dëmtim i pasurisë socialiste”. Harallamb Bano, ishte prokurori që kreu zbatimin e ekzekutimit. 26 vjet më pas, pasi dështuan me kërkimet vullnetare të gjetjes së eshtrave, tre vëllezërit e të pushkatuarve hynë në një grevë urie tek ambientet e Avokatit të Popullit, pasi ish prokurori i diktaturës,tani punon në këtë institucion. Ai refuzon tu tregojë vendin ku është kryer pushkatimi duke i mohuar kështu viktimës së tij edhe mundësinë për të pasur një varr. 

0 comments:

Post a Comment