Tuesday, May 6, 2014

Rasti Kongoli – dhe hapja e dosjeve për shkrimtarët.


Rasti i shkrimtarit Fatos Kongoli, i cili i ka dalë dëshmitar një kolegu të tij gjatë një procesi politik, si dhe ndjesa që shkrimtari u kërkuar familjarëve të viktimës 20 vjet pas përmbysjes së komunizmit, ka rihapur edhe njëherë debatin për hapjen e dosjeve e shkrimtarëve, si dhe për vlerën e ndjesës publike, si një vlerë morale që ia vlen të bëhet.Mëkatet i fal vetëm Zoti, ndërsa shumë rrallë njerëzit, aq më tepër ata që e kanë pësuar keq nga mëkati i atij që kërkon falje dhe shpreh pendesë. Nëse Fatos Kongoli e ndjen peshën e rëndë të mëkatit, ai shumë mirë mund të meditojë në netët e vona dhe në një bashkëbisedim me Zotin, njëkohësisht mund ti lutet për ti falur mëkatin e bërë gjatë viteve të komunizmit.Pas asaj katrahure ku e ngatërruan veten, ( po e besojmë dhunshëm), megjithëse është vetëm pasojë e një karakteri të lëkundur dhe frike të madhe,nuk zë vend ndjesa, pasi pendesa nuk besoj se e ngushëllon familjen Dume. Me statusin që ka, Kongoli shumë mirë mund të fillonte një investigim dhe të botonte një dossier, apo një libër dokumentar, për të zbardhur krejt të vërtetën. Por kjo bëhej duke ia hequr petët lakrorit dhe të derdhej çorba e neveritshme e gatuar vite më parë në kuzhinën e Sigurimit të Shtetit,ku natyrisht ka pështyrë edhe zoti Kongoli. Po ta kishte bërë këtë , nuk ishte e nevojshme të zinte “kokën me duar, kur të mësonte aktivitetin agjenturor të “Shigjetës”.Nuk di përse F.Kongoli zgjodhi këtë rrugë për të kërkuar ndjesë, ndërkohë që ndjesa është një akt tërësisht privat dhe në këtë mënyrë mund t’ia kërkonte Hysenil Dumes ne gjallje të tij apo familjes Dume shumë vite më parë. Kurse “rrëfimi” publik i mëkateve mund të kishte një natyrë krejt tjetër, pak a shumë si të G.Grasit, për implikimin e tij me nazistët. Në mungesë edhe të kësaj rruge, Kongoli duke u nisur nga eksperienca thellësisht vetjake, le të ngelej tek detajet për të treguar metodat e egra të Sigurimit të Shtetit, për thyerjen e shkrimtarëve dhe poshtërimin e tyre deri në tejskajshmëri, për tu dalë dëshmitar miqve kolegëve. Më pas le të reflektonte me sinqeritetin e tij rreth ndjesive që i jep burgosja e padrejtë e një miku, ku një kontribut të turpshëm ka dhënë edhe ai. Tek e fundit në jetë nuk ka vetëm gjëra me të cilat mund të krenohesh.Kurse sa i përket debatit që po zhvillohet rreth impaktit të ndjesës dhe pendesës së Kongolit, unë jam i prirur të pranoj trishtueshëm atë që tha i biri i të ndjerit Hysenil Dume në një të përditshme, se “i fituari dhe kësaj radhe doli autori me publicitetin që iu bë librit të tij”. Them e trishtë, pasi me apo pa dashje, në tranzicionin e stërgjatë shqiptar, viktimat kanë mbetur gjithmonë të tilla, madje jo rrallë herë historitë e fatkeqësive të tyre janë burimi fitimi.

0 comments:

Post a Comment