Wednesday, May 7, 2014

Steriotipet ne Liri - Jemi tru-peshk....!

          
Kur e pamë veten të lirë, menjëherë u ndeshëm me shumë steriotipe të krijuara për ne në një botë që ne e kishim dëshiruar aq shumë. Në botën e ëndrrave ne na cilësuan pak a shumë si njerëzit e parë me ngjyrë që erdhën në Evropë. Në gjithë qenien tonë ne e ndjenim veten inferiorë para një perëndimori, qoftë ai edhe jo me ndonjë status social për tu pasur zili.
 Kjo risi aspak e këndshme ishte një shok për të gjithë ata që kishin ëndërruar “botën e lirë”. Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet, që kanë të bëjnë duke filluar që nga ndryshimet në kulturë,nuk është pak izolimi 50 vjeçar nga pjesa tjetër e botës; por faktori kryesor mbetet ai ekonomik. Askush nuk mund të pranojë si të barabartë një varfanjak. Mund të ndiesh mëshirë për një të varfër,por çfarë mund të ndiesh për një popull  të varfër? Përgjigjet mund të jenë të shumta, por  një popull me varfërinë e tij nuk ka përse të mburret. Një popull me këto probleme  sociale , për të mos u quajtur një popull i mangët , duhet të gjenden rrugët për të  shpëtuar nga varfëria. Rruga është sa politike aq edhe kulturore, për të hedhur tej një mentalitet të mbetur gabimisht në formën aksidentale nga segmente të ndryshëm historikë.

          * * *

Jo të gjitha steriotipet e krijuara duhet të cilësohen njësoj. Nuk di përse më është mbushur mendja se ne si popull jemi tru-peshk dhe kemi memorie prej peshku. Ndoshta ngaqë harrojmë shpejt dhe nuk kemi kujtesë kolektive. Kujtesa kolektive e shqiptarëve për krimet e kryera gjatë periudhës së errët të komunizmit është  topitur. Askujt nuk i bën përshtypje kur në sfera të ndryshme të shoqërisë ish drejtuesit e sigurimit të shtetit  apo forca të tjera të ish nomenklaturës komuniste  shfaqen nëpër ekranet e televizioneve dhe vazhdojnë të ushqejnë popullin me  versionin e tyre të historisë. Ndërsa sa u përket krimeve të kryera prej tyre, e mbyllin në mënyrë lakonike se ‘ e tillë ishte koha”.
Ne si popull vazhdojmë të qëndrojmë të heshtur, tamam si tru-peshq, vazhdojmë të dëgjojmë, madje ende përbën kuriozitet edhe jeta e tyre në ‘bllok”. Ndërkohë nuk është dëgjuar asnjë zë kolektiv për ngritjen e një tribunali për të dënuar krimet e komunizmit dhe përgjegjësit, satrapët dhe kriminelët, të gjithë ata që kanë ushtruar tortura, të dalin dhe të japin llogari.
Gjithashtu ne si popull tani jemi duke ndjekur skenarin më dinak të pastrimit të historisë që po i bëjnë mbetjet e ish komunizmit. Nëpër gazeta të ndryshme janë duke u publikuar dossierë të ndryshëm për viktimat e diktaturës. Bashkë me materialet arkivore janë publikuar edhe ish bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit, që në të shumtën e rasteve janë persona nga shtresa më e persekutuar e shoqërisë shqiptare gjatë periudhës së komunizmit. Në atë periudhë ka qenë e kuptueshme që të infiltruari të ishin nga kjo shtresë, pasi ata ishin  të besuarit e viktimave, por ajo që të bën përshtypje, është zelli i madh për publikimin e ish spiunëve dhe kursimi që iu bëjnë operativëve të sigurimit, hetuesve dhe prokurorëve të regjimit, natyrisht duke i justifikuar se “ ata kanë kryer detyrën ”. Madje ka nga ata ish sigurimsa që edhe kur me gjysmë zëri pranojnë se ka viktima të pafajshme duke rënë sipas tyre, viktima të shpifjes, fajin ia lenë kastës së dënuar nga Hoxha,duke përjashtuar kështu diktatorin nga përgjegjësia, ndërkohë që faktet historike flasin të kundërtën. Por jo vetëm kaq, një pjesë e mirë e atyre që kanë marrë pjesë në procese politike sot  janë përsëri në detyra shtetërore, duke pasur akses edhe për të pastruar veten dhe ish nomenklaturën e kuqe. 
Pikërisht për këtë qëllim, vite më pas, drejtësia e vendit tim duhet ta ndjejë veten të turpëruar, pasi edhe pse kanë kaluar shumë vite që nga koha e përmbysjes së komunizmit, në gjirin e saj ka shumë prej tyre që kanë ende njollat e gjakut të viktimave dhe martirëve, nëpër mëngët e kamishave, ndërsa sot janë po këta njerëz që ne shpresojmë se do të japin drejtësi.
Ne duhet të na vijë turp, jo aq për vete se sa për brezat e rinj, që lejuam politikën e inkriminuar të mos pastrohet nga këta kriminelë. Ne nuk e ndëshkuam as me fjalë dhe as me votë këtë pseudo politikë, përkundrazi e lejuam të na qeverisë 20 vjet, madje dhe sa vite të tjerë, ndoshta derisa të jemi larguar nga kjo botë.

Dhe thuaj pastaj që ne nuk jemi tru-peshk.  

0 comments:

Post a Comment