Wednesday, May 7, 2014

“Të gjithë jemi fajtorë”! - ose shoqeria qe reabilitoi krimet e komunizmit

“Të gjithë jemi fajtorë”! - ose shoqeria qe reabilitoi krimet e komunizmit

“Të gjithë jemi fajtorë”! Ky sllogan u dëgjua shpesh pas viteve 1992- ‘93, i cili u përforcua më pas  me nevojën e një “ pajtimi kombëtar’ , duke lënë të nënkuptohet se vendi ndodhej “i rrezikuar” nga një luftë civile. Dhe sa herë që në publik del ashtu kalimthi ndonjë dokument që komprometon regjimin e kaluar me krimet e kryera, sërish hidhet në qarkullim slogani se “ të gjithë jemi fajtore!
“ Të gjithë jemi fajtorë” ! që në Shqipëri janë bërë aq shumë krime, si dhe një pjesë e konsiderueshme e njerëzve u burgosën , apo u syrgjynosën në vende internimi.
“ Të gjithë jemi fajtorë” ! se regjimi diktatorial i Enver Hoxhës qëndroi aq gjatë në pushtet dhe nuk u rrezikua asnjëherë nga ndonjë revoltë popullore që ti trondiste themelet.
“ Të gjithë jemi fajtorë” ! pasi regjimi nuk vdiq njëherësh me diktatorin, por iu zgjat jeta edhe gati një dekadë. Fajtorë jemi edhe ne përderisa janë kryer krime nga regjimi edhe në fundin e tij, duke vrarë  njerëz të pafajshëm në kufi.
Por nëse vërtetë duhet të jetë kështu, duhet të ketë një fajtor mbi fajtorët. Fajtor më tepër se pamundësia jonë e popullore për t’iu kundërvënë regjimit , janë  klika në fuqi dhe gjithë armata e makinës shtetërore diktatoriale që qëndronte pas tyre ; - sigurimsat, hetuesit, prokurorët,  e shumë të tjerë si këta.
“ Të gjithë jemi fajtorë” , ky slogan që tingëllon aq qytetar dhe civilizues, e ka një prapaskenë djallëzore. Përgjegjësia kolektive është forma më e mirë për të shmangur përgjegjësinë e vërtetë, të cilat ashtu siç ndodh në të gjitha sferat e shoqërisë edhe në këtë rast , ajo është individuale. Nëse të gjithë dalim fajtorë, atëherë askush nuk është përgjegjës për të gjitha çka ndodhën gjatë 50 vjetëve të sundimit komunist. Si mund të jetë e njëjta përgjegjësi e popullit me atë të Ramiz Alisë e të tjerë!? Si mund të jetë e njëjta përgjegjësi e imja  me atë të drejtorit të sigurimit të shtetit , apo të Prokurorit të Përgjithshëm !? Si mund të jetë e njëjta përgjegjësi e babait tim të ndjerë, kujdestar në një konvikt shkolle të mesme, me gardianin xhelat, që tregohej më mizor se shefi i tij, thjesht për të mbajtur vendin e punës...”?!
Kjo është një metodë e njohur në historinë e post regjimeve totalitare. I njëjti opinion u mundua të krijohej edhe pas kapitullimit të Gjermanisë hitleriane, ku krimet e kastës së nazistëve, kërkoheshin të fshiheshin pas përgjegjësisë kolektive të popullit gjerman. Por morali i shoqërisë për të vendosur në vend drejtësinë, nuk mund të shkonte pas këtij slogani, në dukje aq qytetar dhe humanitar. Edhe pse kaluan shumë vite që nga gjyqi i Nurembergut, vendimet e tij po ekzekutoheshin sa herë që kapej ndonjë nazist i fshehur.
Krejt e kundërta ndodhi në vendin tonë. Askush nuk është dënuar për krimet shfarosëse të komunizmit, megjithëse kanë dalë në dritë shumë materiale arkivore për platformat komuniste të dënimit të atyre që ata i quanin ‘ armiq të popullit”, asnjë gjykatë nuk u ngrit për ë dënuar këto krime. Madje ajo që mundtë quhet skandaloze,krimet e komunizmit nuk janë dënuar as me një rezolutë të përbashkët e forcave politike në parlament. Gjithashtu nuk u miratua as ligji i lustracionit, për të shmangur nga detyrat në administratën e lartë shtetërore të spiunëve të ish sigurimit të shtetit, proces që ka ndodhur në të gjitha vendet e lindjes.

Me këto veprime, kufijtë e moralit në shoqërisë tonë janë cenuar rëndë duke kompromentuar  shoqërinë civile, intelektualët, politikën dhe vetë drejtësinë. Madje kjo periudhë do të shërbejë edhe si shembulli më i keq në historinë e pasardhësve, duke u lënë të nënkuptohet se ‘ me këtë popull mund të bësh çfarë  të duash, pasi nuk të dënon askush”. Në gjendje më të vajtueshme nuk besoj se mund të bjerë një shoqëri në shekullin XXI. 

0 comments:

Post a Comment